Boksieri me origjinë shqiptare, Haxhi Robin Krasniqi, rikthehet te fitorja pas humbjes në muajin prill me kampionin e botës në fuqi Nathan Kleverly, për peshën gjysmë të rëndë në versionin WBO. 26-vjeçari i lindur në Junik të Kosovës, mposhti pas tetë raundesh rivalin çek Tomas Adamek në përballjen që u zhvillua në Gjermani. Krasniqi u shfaq superior që në raundet e para, duke fituar duartrokitjet e të pranishmëve në “Drezden Arena”. Zhdërvjelltësia në lëvizje, si dhe goditjet e njëpasnjëshme të Krasniqit, e vunë në vështirësi boksierin çek, që u mundua të mbrohej sa më mirë.
Boksimi në distancë, sulmet e befasishme dhe tërheqja e menjëhershme për të shmangur goditjet e shkurtra të Adamek i dhanë avantazhin psikologjik shqiptarit, në favor të të cilit shkuan tri raundet e para. Në raundin e katërt pati një kundërpërgjigje të lehtë të rivalit çek, por Krasniqi reagoi menjëherë, duke treguar superioritetin e tij. Në dy raundet e fundit u ndie disi lodhja e boksierit shqiptar, që pësoi disa goditje nga Adamek, por pa vënë në rrezik fitoren. Vendimi i jurisë në fund të kësaj sfide ishte unanim në favor të Robin Krasniqit, të cilit i hapet rruga për të synuar sërish gjerdanin e artë në versionin WBO.